10.03.2025 - AKTIVITET TRAJNUES: “Prona Publike dhe Prona Shtetërore”

Shkolla e Magjistraturës, më datë 10 mars 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Prona Publike dhe Prona Shtetërore. Dallimi në rregullimin juridik të secilës prej tyre dhe ushtrimi i përgjegjësive të organeve publike mbi tagra të pronësisë. Problematika të hasura gjatë gjykimeve, për çështje procedurale dhe materiale”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Ardian Dvorani dhe Altina Nasufi

Lehtësues: Aulona Hazbiu

Qëllimi i këtij trajnimi është: të rrisë njohuritë mbi evoluimin e jurisprudencës së gjykatave mbi kriteret, kompetencat dhe procedurat administrative që ndiqen nga organet administrative dhe institucionet shtetërore në tërësi për krijimin, përcaktimin e regjimit juridik dhe kryerjen e akteve dhe veprimeve për administrimin e këtyre pronave sipas qëllimit dhe destinimit publik përkatës të tyre. Pjesëmarrësit do të përditësohen me vendime e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Administrative të Apelit mbi privatizimet, administrimin e burimeve minerare (transferimi i lejeve minerare, revokimi i lejes), dhënia në përdorim/ tjetërsimi i pronës publike (tokë bujqësore) si dhe shpronësimet.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Prona Publike dhe Prona Shtetërore: Dallimi i regjimit juridik dhe ushtrimi i përgjegjësive të organeve publike;
  • Raste nga praktika gjyqësore e Gjykatës Administrative të Apelit për privatizimet;
  • Shpronësimet: jurisprudenca e Gjykatës Administrative të Apelit dhe Gjykatës së Lartë;
  • Prona Publike dhe Prona Shtetërore: Raste nga praktika gjyqësore mbi aspekte procedurale (legjitimimi pasiv), mbrojtja e pronës shtetërore etj.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, këshilltarë ligjorë dhe avokatë shteti të Republikës së Shqipërisë.